Një tubim gjithë-popullor pritet të mbahet nesër pasdite në Prishtinë, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në ditën e çlirimit që shënohet në Kosovë.
Këtë, po e bëjnë për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Derisa për një tubim të tillë ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë, duke u bërë thirrje shtetasve të saj që të kenë kujdes, Albin Kurti ka thënë se tubimi i nesërm është paqësor por që protesta do të ketë në ditët e tjera, meqë sipas tij, ato janë të pashmangshme.
Nga pikat e kuqe të shënjuara nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i tyre, Albin Kurti është paraqitur sot me një video duke u bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në manifestimin që do të mbahet nesër në orën 17:00.
Ai, duke bërë thirrje për dalje masive, ka thënë se tubimi do të jetë paqësor, me muzikë dhe fjalime.
E për këtë tubim, dhe ngjarje të tjera të paralajmëruar këto ditë në vend, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë.
Përmes një komunikate, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga qytetarët amerikanë që të shmangin sheshet e Prishtinës nga sot deri më 17 qershor.
Ambasada ka shkruar se një tubim i tillë, ani pse i thirrur si manifestim i qetë, mund të shndërrohet në tubim të dhunshëm.
“Disa ngjarje janë paralajmëruar nga 10 deri më 17 qershor 2020. Këto ngjarje përfshijnë, por jo vetëm, përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. VV po organizon një protestë politike (“tubim”) më 12 qershor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Personeli qeveritar amerikan dhe qytetarët amerikanë këshillohet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë të kujdesshëm nëse gjenden në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste apo demonstrate. Edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejtë mund të shndërrohen në të dhunshme. Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së Covid-19”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës së ShBA-ve.
Për këtë reagim, dhe natyrën e tubimit, KosovaPress ka pyetur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili ka thënë se ambasada e ka një komunikatë “shabllon” të cilën e përdorë kur ka tubime.
Ai ka thënë se tubimi i nesërm nuk është protestë, duke shtuar se protesta do të ketë por jo më 12 qershor.