Gennaro Gattuso do të tentojë të fitojë trofeun e parë në karrierën si trajner dhe të dëshmojë se sjellë më shumë në bankë se vetëm grintën e famshme dhe përkushtimin, kur Napoli të takohet me Juventusin në finale të Kupës së Italisë, të mërkurën (21:00).
Kundërshtari i tij në stolin e Juventusit, Maurizio Sarri, synon trofeun e parë në Itali dhe të parin prej shumë sa shpreson t’i fitojë me ekipin që ka dominuar në Itali në dekadën e fundit.
Kupa e Italisë do të jetë gara e parë që do të përfundojë në edicionin aktual në Itali, që ishte pezulluar për mbi tre muaj për shkak të koronavirusit. Ndeshja e së mërkurës do të luhet në Romë pa praninë e shikuesve.
I famshëm për stilin luftarak sa ishte lojtar, Gattuso ka fituar Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve dhe Serie A si mesfushor, por karriera e tij si trajner nuk ka nisur shumë fuqishëm.
Ai është shkarkuar shpejtë në dy angazhimet e para si trajner, te Sioni në Zvicër në vitin 2013 dhe te Palermo në Serie B të Italisë më vonë. Më pas ka punuar gjashtë muaj te OFI Crete, i cili klub, sipas Gattusos, ka pasur telashe për të ushqyer lojtarët në atë kohë.
Pas kthimit në Itali ai mori drejtimin e Pisas para se Milani ta ftonte në vitin 2017. Nuk ia doli të kthej Milanin në Champions, por e udhëhoqi atë deri në finale të Kupës në vitin 2018, ku pësoi 4:0 nga Juventusi. Shumë vlerësuan se ai ka arritur më shumë se që pritej nga një ekip jo i balancuar dhe me lojtarë të rinj.
Gattuso më pas e zëvendësoi Carlo Ancelottin te Napoli në dhjetor. Skuadrën e gjeti në pozitë të rëndë, lojtarët refuzuan për një javë të marrin pjesë në kamp stërvitor. Nuk vonoi dhe Napoli nisi të paraqitej mirë. Napoli fitoi 1:0 ndaj Juventusit në janar në Serie A, në ndeshjen e fundit në mes të skuadrave.
“Skuadra beson në atë po bëjmë. Skuadra punon shumë, ndërsa djemtë po japin më të mirën”, ka thënë Gattuso pas ndeshjes të së shtunës ndaj Interit (1:1), që e dërgoi Napolin në finalen, falë rezultatit të përgjithshëm 2:1.
“Mendoj se kualiteti është i madh dhe nëse ia dalim të mbrohemi dhe të sulmojmë me përkushtim, mund të arrijmë gjëra të mëdha. Kur ekipet tjera na bëjnë presion, ne e dimë si të vuajmë dhe të përballemi me këtë”, ka theksuar Gattuso.