Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar përmes një komunikate për media se Avdullah Hoti pritet ta vizitojë Shqipërinë më 3 korrik.
Kjo bëhet e ditur pas takimit të sotëm të Hotit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim Hoti ka ritheksuar se pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.
“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.
“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.