Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se mini-Schengeni ballkanik është në interes të Kosovës e Shqipërisë.
“Për sa më takon mua, mini-Schengeni ballkanik është interes i Shqipërisë dhe Kosovës. Sikurse të mos kishim humbur kohë me lloj-lloj dokrrash kufiri atje do të ishte sikur vjen nga Prishtina këtu në aeroport”, tha Rama, raporton KOHA.
Rama tha se mini-Schengeni ballkanik është interes strategjik i shqiptarëve.
KOHA pati raportuar se marrëveshje e llojit të mini-Schengenit ballkanik do të tentohej të arrihej në takimin e 27 qershorit në Washington, i cili dështoi pas aktakuzës për Thaçin nga Specialja.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se i ka kërkuar takim kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, porse ai nuk ka pranuar. Ka njoftuar mes tjerash edhe se do ta tërheqë padinë ndaj Haradinajt.
“Ramushit i kam kërkuar si të gjithë të tjerëve për të shkuar ta takoj në selinë e tij apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon te i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën për më tepër që doja të diskutoja për këtë çështje që është shumë më e madhe se unë e Ramushi e shumë më e madhe se Hashim Thaçi e Kadri Veseli e kam njoftuar se nuk do të bëjë komunikime në media se do ta tërheqë padinë jo se është më e vogël se mua por se kjo është shumë më e madhe”, tha Rama, duke shtuar se padia do të tërhiqet zyrtarisht, raporton KOHA.
Rama tha se “me padi apo pa padi me shpifje, pa shpifje, për mua Ramushi është një prej figurave historike”.
Rama kishte paditur Haradinajn për deklaratën e tij se “ndalova grabitjen 10 miliardë eurosh, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës e se ky ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiq dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme, por unë e ndalova këtë grabitje”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në Kosovë nuk ka ardhur për t’iu dhënë leksione të tjerëve, por vetëm për mbështetje.
“Unë nuk erdha këtu për të bashkuar të gjithë partitë politike apo udhëheqësit e tyre në një tryezë sepse e para kjo nuk është detyra ime dhe e dyta ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik. Asnjëherë nuk kam menduar për këdo që duke e bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’ju tregoj të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë”, tha Rama, raporton KOHA.
Rama tha se “Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte”.
“Dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi por Shqipëria as nuk e ka e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo të tutorit mendorit që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë. Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë por për të dëgjuar nga të gjithë opinionin e tyre këndvështrimin e tyre”, shtoi Rama.
Ai tha se “Jam shumë mirënjohës të gjithëve për mikpritjen për drejtëpërdrejtësinë e ndarjes së opinioneve dhe mund të ju them se pas 24 orësh di më shumë se që dija para 24 orësh lidhur me këtë çështje dhe me situatën”.
“Natyrisht që iu takon udhëheqësve të këtyre të marrin vendimet e tyre dhe të zhvilloj në proceset e nevojshme sipas tyre”, shtoi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se komunikata e ashtuquajtur nga Gjykata Speciale, ishte fletërrufe e ngjashme si ajo e revolucionit kinez.
“Për mua ishte një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me komunikatat publike përgjatë revolucionit kinez, një shfaqje që e kemi përjetuar në Shqipërinë e diktaturës është e pashembull dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj që përmban një arsye pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm ose i qëllimshëm në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë”, tha Rama.
Sigurisht, shtoi kryeministri shqiptar, që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është një vijim i përpjekjeve me shumë stacione por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-së dhe në këtë aspekt, tha ai, “më vjen mirë të them që është privilegj të jesh në pozicionin që jam unë”.
”Dhe të të jepet mundësia të kontribuosh për atë çka ishte dhe është vlera historike e luftës çlirimtare të Kosovës. Dua ta bëjë shumë të qartë që më vjen sinqerisht keq kur shoh në reagime të ndryshme e këtu flas për reagime të nivelit qytetar se si helmi i jetës se përditshme politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare dhe ndikon që të moskuptohet por të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb e që nuk lidhet as me dy persona e nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo me të metat e tyre në kohë paqeje nuk lidhet as me simpatitë bindjet mbështetjet apo kundërshtitë politike të natyrës zgjedhore por lidhet me një prej vlerave me të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar që është vlera për liri të luftës së Kosovës pjesë e së cilës në mënyrë vendimtare është ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Rama.
Rama madje në fjalimin e tij përmendi edhe Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn.
“Prej 21-vjetësh Kosova i ka dhënë mbështetje përmes institucioneve të veta drejtësisë ndërkombëtare e cila përmes strukturave të krijuara enkas ka gjykuar rigjykuar stërrigjykuar ata që janë konsideruar krime lufte dhe pafajësia e disa prej zyrtarëve të Kosovës e këtu po sjell në vëmendje Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn. Është në fakt edhe një akuzë për efikasitetin e drejtësisë ndërkombëtare dhe sot për mua është një sprovë e madhe jo e natyrës politike vetëm por edhe e natyrës kombëtare morale njerëzore se kush flet shqip sepse këtë ka gjuhën e nënës gjuhën e nënës të mos e përdor për të ndarë pjesëtarët e kësaj bashkësie në patriot e tradhtar apo në të ndershëm dhe hajdut”, tha Rama.
“Nuk është ky rasti sepse historia jonë dhe shqiptarëve duhet të na e këtë mësuar tashmë sepse ka gjithmonë një kohë për t’u përleshur me njëri-tjetrin për ode për bindje për politik p[or duhet të ketë sa herë koha e vë në pikëpyetje një moment për tu bashkuar me njëri-tjetrin për historinë tonë dhe për gjenerata e tjera”, tha Rama.