Në fushatën e filluar më 7 korrik, kërkohet nga populli dhe deputetët që të kundërshtojnë planet okupuese dhe aneksuese të Izraelit
Deputetët në parlamentin federal të Kanadasë kanë dhënë mbështetje ndaj fushatës së nënshkrimeve të filluar pak kohë më parë kundër planeve të Izraelit për aneksimin e territoreve palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në fushatën e filluar më 7 korrik nën udhëheqjen e grupit Kanadezët për drejtësi dhe paqe në Lindjen e Mesme (CJPME), përfshirë 9 organizata të kishës, sindikata dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut në Kanada, kërkohet nga populli dhe deputetët që të kundërshtojnë planet okupuese dhe aneksuese të Izraelit.
Në postimet e bëra në faqen e internetit dhe në rrjetet sociale të CJPME-së njoftohet se deri më tani 68 deputetë nga parlamenti federal i Kanadasë kanë nënshkruar tekstin e përbashkët.
CJPME u bën thirrje deputetëve në parlamentin kanadez që të mbajnë një qëndrim të qartë kundër planeve të Izraelit dhe nga deputetët kërkon që të ushtrojnë presion mbi qeverinë e drejtuar nga Justin Trudeau për këtë çështje.
Në tekstin e thirrjes së hapur kanë nënshkruar duke dhënë mbështetje të gjithë anëtarët e Partisë Blloku Quebec që përfaqësohen me 32 vende në parlamentin federal të Kanadasë, ndërkohë që kjo parti ndiqet nga Partia e re Demokratike (NDP) me 23 deputetë.
Po ashtu teksti që kundërshton planet aneksuese dhe okupuese të Izraelit, është nënshkruar edhe nga 10 deputetë të Partisë Liberale në pushtet.
Fushata kundër politikave të Izraelit është mbështetur edhe nga dy deputetë të Partisë së Gjelbër si dhe nga një deputet i pavarur.
– Fushata mbështetet edhe nga organizatat e shoqërisë civile
Në anën tjetër fushata e filluar nga CJPME dhe 9 organizata mbështetet edhe nga shumë organizata të tjera të shoqërisë civile në Kanada.
Fushata mbështetet nga mbi 60 sindikata, shoqata, fondacione dhe universitete, kryesisht nga Kongresi i Punëtorëve të Kanadasë, Federata e Studentëve të Kanadasë, Unifor që është sindikata më e madhe e punëtorëve në vend, Këshilli Kanadez për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (CCIC), Zëri i Hebrenjve të Pavarur, Unioni Kanadez për Punonjësit e Sektorit Publik (CUPE).
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në fillim të këtij viti njoftoi se do të aneksojë plotësisht territoret që vendi i tij ka pushtuar që nga viti 1967, ndërkohë edhe presidenti amerikan Donald Trump më 1 korrik 2020 njoftoi mbështetjen e mbuluar të SHBA-së për këtë.