Albion Ademi ka qenë sërish protagonist në pikën e fituar të skuadrës së tij.
IFK Mariehamn, ku Ademi paraqitet si sulmues, i shënoi dy gola në duelin kundër Lahtit në barazimin 2:2.
Lahti që udhëhiqet nga trajneri shqiptar, Ilir Zeneli, e pati epërsinë e dy golave, transmeton KOHA.
Megjithatë, 21-vjeçari Ademi, që u zgjodh lojtari më i mirë i muajit gusht në Veikkausliiga, elitën e futbollit finlandez, shënoi dy gola të bukur.
Të parin e realizoi në minutën e 61-të, kur hyri në aksion pas një sprinti nga gjysma e fushës.
Ndërkohë, golin e dytë e shënoi 10 minuta më vonë. Ai plasoi një gjuajtje tejet të fuqishme nga largësia.
“Lahti ishte në epërsi për një orë dhe luajti mirë. Ne nuk luajtëm mirë në fillim, por prej minutës së 60 u përmirësuam. Bëmë hapësira për Albionin, i cili shënoi”, tha trajneri i Mariehamnit, Lukas Syberyjski.
Ndërkohë, trajneri i Lahtit, Zeneli, tha se ishte pikërisht Ademi që e bëri diferencën.
“Ndikimi më i madh në ndeshje ishte Albion Ademi. Ishim në gjendje ta mbanim lojën nën kontroll, por bëmë dy gabime dhe Ademi me zgjedhjet e tij ndryshoi rezultatin”, tha, ndër të tjera, pas ndeshjes trajneri Zeneli.
Ademi ka shënuar 12 gola pas 13 ndeshjeve, ndërsa ka kontribuuar edhe me tri asistime. Ai ka tri paraqitje me Shqipërinë U21.