Traktati që përbën bazat e Bashkimit Evropian duhet të përditësohet ku të parashikohen sanksionime më të ashpra për vendet anëtare që shkelin rregullat mbi borxhin, migrimin dhe demokracinë, deklaroi kancelari austriak, Sebastian Kurz.
“Ne patëm një krizë të borxhit, një krizë të euros, një krizë të migracionit, një krizë klimatike dhe kaosin e Brexit”, tha ai për të përditshmen austriake “Kleine Zeitung” dhe gazeta të tjera rajonale në një intervistë të publikuar sot.
“Na nevojitet një traktat i ri i BE-së. I vjetri nuk përkon me kohën”, theksoi lideri konservator, tre javë para zhvillimit të zgjedhjeve evropiane.
“Traktati i Lisbonës për BE-në nuk duhet të ndryshohet në aspektin themeltar për sa i përket institucioneve aktuale, por numri i komisionarëve duhet të reduktohet”, sipas Kurz.
Për më tepër, shton ai, “Parlamenti Evropian nuk duhet të lëvizë vazhdimisht mes Strasburgut dhe Brukselit, por duhet të qëndrojë në këtë të fundit që është edhe de facto kryeqyteti i BE-së”./ATSH/