Deputeti i opozitës parlamentare, Maliqi u shpreh sot se do të preferonte Metën kryeministër para Bashës.
Maliqi tha gjatë një interviste televizive se është i bindur se nuk do të ketë deputetë nga opozita e re në parlamentin e ardhshëm.
“Dje me disa socialistë të zhgënjyer shikojmë në portale që Meta në biseda të ngushta ka thënë se është i gatshëm t’ia lërë presidencën Meidanit apo Berishës për t’i siguruar vendit brenda 48 ditëve një siguri dhe një shembull në të gjithë rajonin. Unë nga ky lajm, në njohjen që kam për shkak të njohjes prej 2005-ës me Metën, di të them se në detyrat që ka kaluar, i ka kryer me rigorozitet dhe tani pashë reagimin e socialistëve të zhgënjyer që panë një shpresë për t’i dhënë votën”, u shpreh Maliqi.
I vendosur përpara zgjedhjes: Meta apo Basha kryeministër, Maliqi tha se vlerëson dy figura në politikën shqiptare, Sali Berishën dhe Ilir Metën. “Jam i bindur se nga opozita e re nuk shoh deputet në parlamentin e ardhshëm”, tha Maliqi në një intervistë televizive.
Maliqi tha se ka dëshirë të jetë te opozita e bashkuar, PD-LSI në listat e tyre për zgjedhjet e 25 prillit.
Në lidhje me pyetjen e krijimit të një partie të re, siç po bën Hajdari apo Murrizi, Maliqi tha se nuk është problem për të krijuar forcë të re politike sepse deputeti në bazë të ligjit e krijon, por për shkak të sistemit nuk ka vlerë.
“Për shkak shmangies së sistemit mazhoritar, unë e kam thënë dhe e them që me këtë sistem edhe me lista të hapura 100% janë disa forca politike që marrin mandate, që janë PS, PD, LSI dhe pastaj partitë e tjera si minoritet grek, minoriteti çam, por forcat e reja politike nuk kanë shans të marrin mandate”, u shpreh ai.
“Këtë e ka treguar dhe Bamir Topi që ka marrë gjysmë mandati”, shtoi Maliqi.
Në lidhje me pyetjen nëse do kandidojë në zgjedhjet 2021, Maliqi tha se do shohë vazhdimin e Këshillit Politik.
“Kam dëshirë të jem te opozita e bashkuar, PD dhe LSI në listat e tyre në zgjedhjet e ardhshme, por nuk përjashtohet mundësia për ndonjë forcë tjetër. Di të them se me këdo forcë të jem do të ndodhë ndryshimi në qarkun e Beratit. Basha dhe Kryemadhi do të jenë në qeveri pas 25 prillit”, u shpreh ai./ATSH/