Kosova do ta kërkojë fitoren e parë në vitin 2020, si dhe të parën në këtë edicion të Ligës së Kombeve, sonte kur të përballet me Slloveninë në Lubjanë – lideren e Grupit 3.
Ekipi kombëtar i Kosovës, i thelluar në krizë rezultatesh, do të takohet me Slloveninë në Ligën C, një kombëtare që ka treguar formë të lartë kohët e fundit dhe duket të jetë favorite për ta fituar grupin.
Ndeshja e xhiros së parafundit në grup mes Sllovenisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Stadiumin Stožice Sports Park, pa praninë e shikuesve, duke filluar në orën 20:45.
Kosova vjen në këtë takim pas një paraqitje dëshpëruese në humbjen 2:1 kundër Shqipërisë në një ndeshje miqësore të enjten në Elbasan.
Sllovenia e fitoi 1:0 ndeshjen e parë kundër Kosovës muajin e kaluar në Prishtinë.
Në këto dy ndeshje të mbetura, Kosova do të luftojë për ta shmangur rënien nga Liga C, sepse renditet e parafundit në grup me vetëm dy pikë, pas dy barazimeve dhe dy humbjeve, në një luftë të drejtpërdrejt me Moldavinë që renditet e fundit me një pikë.
Derisa Kosova po e përjeton një krizë të madhe rezultatesh këtë vit, edhe pse e pati një edicion mahnitës 2019/20 në garën e UEFA-s kur edhe u promovua nga Liga D, Sllovenia është në formë shumë të mirë dhe nuk e ka humbur asnjë ndeshje garuese që një vit.
Sllovania është në pozitë të mirë për ta fituar grupin dhe rrjedhimisht promovimin në Ligën B, pasi prin me 10 pikë, dy më shumë se Greqia.
Kosovës iu bën një vit që nuk ka shijuar fitore në një ndeshje garuese, kur e mundi 2:0 Malin e Zi në tetor të 2019-s në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.
Kombëtarja dardane do të drejtohet nga ndihmëstrajneri i parë, Muharrem Sahiti, pasi trajneri Bernard Challandes është infektuar me koronavirus.
Verdhekaltrit janë më të kompletuar se në ndeshjet e kaluara, me rikthimin e kapitenit Amir Rrahmani dhe sulmuesit kryesor Vedat Muriqi.
Duke folur në një konferencë për mediat në Lubjanë para ndeshjes, Sahiti tha se verdhekaltrit do ta kërkojnë fitoren duke e bërë lojën e vet.
“Ne nuk ndryshojmë në mënyrën e lojës sonë. Loja e mënyrës tonë është me pasime, me diagonale në thellësi të kundërshtarit. Ne do të luajmë ashtu si gjithmonë dhe nëpërmes kësaj loje ne synojmë ta fitojmë ndeshjen”, tha Sahiti, i cili e drejton Kosovën për shkak se Challandes është testuar pozitiv me COVID-19.
Matjaz Kek, trajneri i Sllovenisë, e vlerësoi lart ekipin kombëtar të Kosovës dhe e pranojë se skuadra e tij do të kërkojë tri pikë.
“Sigurisht, ne do të tentojmë të fitojmë. Kosova është një skuadër e mbushur me yje që luajnë në ekipe të mëdha të Evropës. Fati është në duart tona dhe ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje për ta synuar vendin e parë në grup”, ka thënë Kek.
Pas takimit të sotëm, Kosova do ta presë Moldavinë në Prishtinë të mërkurën, në ndeshjen e fundit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.