Arsenali ka fituar bindshëm në shtëpi ndaj Rapidit të Vjenës me rezultatin 4:1, në xhiron e pestë të fazës grupore të Ligës së Evropës.
Kjo ishte hera e parë që u lejuan tifozët në një ndeshje të një klubi të Premier Leagues së Anglisë që nga 7 marsi, kur u ndalua prania e tifozëve shkaku i pandemisë.
Alexandre Lacazette (10’), Pablo Mari (18’), Ed]ard Nketiah (44’) dhe Emile Smith-Rowe (66’) shënuan për Arsenalin, ndërsa Koya Kitagawa (48’) për Rapidin.
Te Arsenali titullar ishte Shkodran Mustafi, dhe luajti 70 minuta. Ai u ndëshkua me karton të verdhë.
Arsenali ka pikë maksimale, 15 sosh pas pesë xhirove. Molde zë vendin e dytë në grup me nëntë pikë, ndërsa Rapidi i treti me gjashtë pikë. Dundalku është i fundit pa pikë. Dundalku sonte pësoi 3:1 si mysafir i Moldes.
Roma ka triumfuar 3:1 ndaj Young Boys Bernit në ndeshjen e Grupit A, duke e siguruar kështu kualifikimin në fazën nokaut. Borja Mayoral (44’), Riccardo Calafiori (59’) dhe Edin Xheko (81’) shënuan për Romën, ndërsa Jean Pierre Nsame (34’) realizoi për Young Boysin. Roma i ka 13 pikë pas pesë xhirove dhe kryeson, Young Boysi është i dyti me shtatë pikë, ndërsa CFR Cluj zë vendin e tretë me pesë pikë. CSKA Sofje zë vendin e fundit me dy pikë.