Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar vizitën e tretë të kryeministrit Edi Rama në familjen e të ndjerit Klodian Rasha. Vizitën e kreut të qeverisë në familjen Rasha kreu i PD-së e konsideroi “kthim në vendin e krimit”, një ditë pasi qeveria akordoi një pension special për këtë familje.
“Pengu i oligarkëve, tre ditë rrugëve të Nju-Jorkut nuk gjeti një minutë për familjen e Klodian Rashës dhe tani kthehet në vendin e krimit. Me poshtërimin e gjakut të viktimës, në tentativën për të fajësuar opozitën për dështimin e shtetit të tij. Tre ditë heshti, pse heshti?! Sepse besoi se do ta manipulonte edhe këtë ngjarje. Komunikatat nuk dalin pa firmën e Drejtorit të Policisë. Derisa zemërata qytetare i erdhi te dera e zyrës, dhe aty doli instikti i njeriut të vërtetë… Është i gatshëm të shesë këto për të ruajtur lëkurën e tij, prandaj e shiti Sandër Lleshajn”, tha Basha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët.