Biden: Sulmi rus ndaj Ukrainës, ende i mundshëm

albnews
By
2 Min Read

Pavarësisht deklaratave të Rusisë së ka tërhequr disa nga trupat ushtarake nga kufiri me Ukrainën, SHBA thotë se nuk e ka vërtetuar një gjë të tillë. Në një adresim nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden i kërkoi Moskës të tërhiqet nga pragu i luftës.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara “nuk po kërkojnë konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë”, por nëse Rusia do të sulmonte amerikanët në Ukrainë,  do t’i përgjigjej me forcë”.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO janë të përgatitur për çfarëdo që të ndodhë dhe Rusia do të paguajë një çmim të lartë ekonomik nëse Moska fillon një pushtim”, u shpreh i vendosur kreu i Shtëpisë së Bardhë. Sipas Biden, një sulm rus në Ukrainë mbetet një mundësi.

 “Largimi i forcave ruse do të ishte një lajm i mirë, por ne nuk e kemi verifikuar ende këtë. Nuk kemi verifikuar ende se njësitë ushtarake ruse po kthehen në bazat e tyre vendase. Në të vërtetë, analistët tanë tregojnë se ata mbeten në një pozicion kërcënues”, tha Biden.

Ai iu drejtua me një mesazh edhe qytetarëve rusë.

 “Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk janë kërcënim për Rusinë. Ukraina nuk po kërcënon Rusinë. As SHBA dhe as NATO nuk kanë raketa në Ukrainë. Ne nuk po synojmë popullin e Rusisë, për qytetarët rusë, ju nuk jeni armiku ynë dhe nuk besoj se dëshironi një luftë të përgjakshme, shkatërruese kundër Ukrainës”.

Megjithatë Presidenti amerikan theksoi se një zgjidhje diplomatike mbetet e mirëpritur.

Fjalimi i Biden erdhi disa orë pasi Presidenti rus Vladimir Putin tha se shqetësimet e Moskës për sigurinë duhet të trajtohen dhe të merren seriozisht. Putin gjithmonë ka mohuar planifikimin e një inkursioni dhe tha se Rusia nuk dëshiron një luftë tjetër në Evropë. Megjithatë, tensionet janë rritur që nga Nëntori.

Share This Article