Nënsekretari parlamentar i Shtetit, David Rutley, konfirmoi të enjten se Britania e Madhe do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se disa shtete të QUINT-it duan që vendi i vogël ballkanik të lëvizë në mënyrë të shpejtë dhe të pakthyeshme drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përpara vendimit final.
“Unë mund t’ua konfirmoj kolegëve se Britania e Madhe do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, deklaroi Rutley gjatë një debati parlamentar mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në prag të vendimmarrjes historike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, shtetet kryesore evropiane sikurse Gjermania, Franca dhe Italia, dërguan sinjale se do ta kushtëzojnë mbështetjen për Kosovën me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, duke folur mbi sugjerimet që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të jetë kusht për Kosovën drejt avancimit të ardhshëm, theksoi se për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme nuk duhet të jetë parakusht themelimi i këtij mekanizmi.
“Disa kanë thënë se Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës vetëm nëse krijon njëfarë asociacioni. Britania e Madhe duhet ta kundërshtojë këtë. Derisa unë nuk dua një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor, një asociacion do të themelohet si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Por nuk duhet të nxitohet dhe nuk mund të vijë nën presion të jashtëm”.
Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimi përfundimtar është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet në mes të majit në Strasburg të Francës.