“Të gjithë kemi një shqetësim të përbashkët, që vendi ynë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk vuan një emigrim problematik në nivele të pranueshme, por po përjeton një erozion demografik, referuar stastikave bindëse”, tha sot presidenti Ilir Meta, i cili mori pjesë nëpërmjet një videokonference në një panel për fenomenin e emigrimit.
Meta theksoi se, “kjo situatë ka të bëjë me kërcënimin e perspektivës sonë kombëtare. Fakti që kemi disa tregues që ecin në mënyrë negative, lidhet me fenomenin shqetësues të një mungese besimi në vend. E theksoj si më të rëndësishme për t’u ndalur është intensifikimi shqetësues i largimit të trurit, veçanërisht të 94% të studentëve që janë jashtë dhe nuk duan të kthehen në Shqipëri”.
Meta shtoi se, “disa nga arsyet që e stimulojnë fenomenin e shpopullimit janë mosrritja e qëndrueshme e pagave dhe pensioneve, por thjesht indeksimi i tyre, që kanë bërë të vështirë koston e jetesës për shumë familje në vend, mungesa e mbështetjes së arsimimit cilësor të të rinjve, mungesa e mbështetjes së duhur të biznesit”.
“Situata në vendin tonë është përkeqësuar ndjeshëm sidomos sa i përket mungesës së mbështetjes së biznesit, për të përballuar kostot shtesë të pandemisë. Sipas Bankës së Shqipërisë të paktën 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë pandemisë. Mungesa e mbështetjes për këto biznese padyshim që është një kërcënim serioz për t’i shtuar edhe më tej ritmet e emigrimit”, tha Meta.
“Sistemi i llogaridhënies demokratike nuk funksionon. Eficienca e përdorimit të parave publike është e dyshimtë, e pakontrolluar dhe larg llogaridhënies. Kjo është e lidhur me standardet e qeverisjes që duhet të përmirësohen në mënyrë drastike”, u shpreh Meta.
Në panel ishin të pranishëm edhe disa profesorë dhe ekspertë të problematikës së emigrimit.
Ilir Gëdeshi tha se, “po rritet shumë shpejt migrimi i mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë. Sipas tij, numri i mjekëve për 100 mijë banorë do të vijë duke u ulur duke shkaktuar probleme me popullatën sa i përket shërbimit shëndetësor. “Kjo do të provokojë largime të tjera të popullatës në mungesë të një shërbimi mjekësor cilësor”, tha ai.
Ndërsa Sherefedin Shehu, keshilltar i PNUD për reformat ekonomike tha se, “braktisja e Shqipërisë nxitet nga keqqeverisja, veçanërisht nga moszbatimi i ligjit”.
E njëjta gjë, u shpreh ai, “është edhe me zbatimin e ligjit. Këto ndikojnë edhe tek investimet e huaja, prandaj investuesit e huaj zgjedhin vendet e rajonit, sepse në Shqipëri nuk gjejnë siguri juridike dhe ekonomike”.
Sherif Bundo tha se, “Në Shqipëri të ardhurat mujore për një familje në nevojë janë diku tek 104-105 euro. Kjo është shqetësuese sepse jemi në kufijtë e varfërisë dhe në vendin e fundit në rajon, sa i përket të dhënave tronditëse për këtë kategori. Niveli i popullisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është dy herë më i lartë në vendin tonë se sa në të gjithë rajonin”, u shpreh ai. /ASTH/