Pekini po mbyllet për shkak të Covid-19

 507,280 total views,  1 views today

Në Pekin sot janë mbyllur një numër shtesë i dyqaneve dhe objekteve për shkak të përhapjes së Covid-19, blloqet e banesave janë nën masa të rrepta izolimi dhe autoritetet po përpiqen të zbulojnë sa më shumë kontakte që është e mundur, ndërsa në Shangai ku masat të rrepta kanë qenë në fuqi prej para një muaji, pakënaqësia po rritet.

Autoritetet lokale të kryeqytetit të Kinës janë në garë me kohën në përpjekje për të zbuluar sa më shumë raste të koronavirusit dhe për të izoluar njerëzit që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.

Rajoni Çaojang në Pekin, me 3,5 milionë banorë, është i pari në të cili ka filluar testimi masiv. Ndërkohë, blloqe të tëra banimi janë “mbyllur” dhe banorët nuk mund t’i braktisin shtëpitë e tyre.

Janë mbyllur palestra, qendrat tregtare, kinematë, pishinat dhe qendrat stërvitje, si dhe bibliotekat , kurse furnizuesve të postës dhe ushqimit u janë ndaluar të hyjnë në disa lagje dhe zona të banuara.

Banorët paralajmërohen se do të mbajnë përgjegjësi nëse nuk respektojnë masat kufizuese dhe kontribuojnë në përhapjen e epidemisë.

Në Pekin dje u regjistruan 49 raste të infektimit, krahasuar me 50 një ditë më parë.

Ndërkohë në Shangai, i cili prej një muaji është në “llokdaun”, zemërimi dhe inati po shtohen. Çdo natë banorët e këtij kryeqyteti financiar shprehin pakënaqësinë e tyre duke goditur me tiganë dhe tenxhere. Për shkak të masave të rrepta të izolimit, të huajt po largohen masivitet nga ky qytet më kozmopolit në Kinë.