Trafikonin armë dhe municion drejt Greqisë, dy persona arrestohen në kufi

albnews
By
1 Min Read

Dy shtetas që po trafikonin armë dhe municion në drejtim të Greqisë janë arrestuar nga Policia Kufitare e Shqipërisë.

Në pranga u vunë drejtuesi i automjetit, me të cilin do të kryhej trafiku, si dhe një bashkëpunëtor i dyshuar i tij.

3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, krehra armësh zjarri dhe një sasi municioni luftarak u sekuestruan nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë.

Një 41-vjeçar dhe një 40-vjeçar, të dy banues në Tiranë, u kapën në flagrancë si rezultat i bashkëpunimit me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë.

Ata po udhëtonin me automjetin tip “Benz” kur i nënshtruan kontrollit me skaner, i cili ngriti dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën armët automatike, pistoletën, 5 krehra me fishekë dhe municion luftarak.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal, njoftoi Policia.

Share This Article