Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën u bënë shteti i parë i Gjirit Persik që hap ambasadë në Izrael. Ambasadori i Emirateve i çmoi mundësitë për investime dhe tregtinë që do t’i sillnin marrëdhëniet më të ngushta. Në ceremoninë e hapjes së ambasadës mori pjesë edhe presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.
Të bashkuar nga shqetësimet rreth Iranit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i normalizuan marrëdhëniet me Izraelin vitin e kaluar, me ndërmjetësimin dhe ndihmën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Hapja e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tel Aviv erdhi pas inaugurimit të Ambasadës së Izraelit në Emirate muajin e kaluar, shkruan Reuters.

“Që nga normalizimi i marrëdhënieve, për herë të parë kemi parë diskutime për tregtinë dhe mundësitë e investimeve. Kemi nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, udhëtimet ajrore, teknologjinë dhe kulturën”, tha ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Izrael, Mohamed Al Khaja.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, e quajti hapjen e kësaj ambasade “moment të rëndësishëm historik në udhëtimin drejt së ardhmes, paqes, prosperitetit dhe sigurisë për Lindjen e Mesme”.
Emiratet e Bashkuara Arabe thanë vitin e kaluar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin përfundimisht do të sjellë përfitime edhe për palestinezët.

