Aleati i PD-së, Agron Duka deklaroi sot se situata në PD po dëmton opozitën, ndërsa e ka konsideruar bashkëpunimin më të gjerë si të domosdoshëm për shtyrjen e afatit të organeve të Vetingut, KPK dhe Komisioneri Publik.
Në një intervistë televizive, Duka tha se opozita nuk ka ndonjë koordinim. Ato pak seanca që janë bërë është vënë re që vendimet kanë qenë jo të koordinuara, gjitha kjo është në dëm të opozitës.
Duka shprehet se përplasja në PD nuk ka vëmendje te aleatët .
“Kjo është arsyeja të mos kenë vëmendjen ndaj aleatëve dhe aksionit opozitar, sepse sigurisht kjo është një çështje më madhore. Është e vërtetë po ashtu që nuk ka koordinim të vendimeve, veprimet janë të pakoordinuara. Padyshim që zbeh veprimin opozitar, e gjitha kjo është në dëm të opozitës dhe atyre që i kanë votuar”, tha ai.
Duka kërkon bashkëpunim më të gjerë për reformat prioritare.
“Shtyrja e afati të Vetingut duhet bërë, përderisa jemi dakord për reformën në drejtësi, por kjo nuk varet nga dora ime, duhet një bashkëpunim më i gjerë. Unë mendoj dy reformat më të rëndësishme që duhen ndërmarrë janë ato që kërkon opozita dhe duhet dorë e shtrirë për bashkëpunim”, tha ai.