Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, paralajmëroi për një përgjigje të përbashkët të paprecedentë me aleatët nëse Koreja e Veriut vazhdon me teste bërthamore.
Veç kësaj, ai i kërkoi Kinës të ndihmojë në largimin e Veriut nga ndjekja e zhvillimit të ndaluar të armëve bërthamore dhe raketave.
Në një intervistë me Reuters të hënën, Yoon i bëri thirrje Kinës, aleatit më të ngushtë të Koresë së Veriut, të përmbushë përgjegjësitë e saj si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përcjell Telegrafi.
“Ajo që është e sigurt është se Kina ka aftësinë të ndikojë në Korenë e Veriut dhe Kina ka përgjegjësinë për t’u përfshirë në proces”, citohet të ketë thënë Yoon.
“I takon Pekinit të vendoste nëse do ta ushtronte atë ndikim për paqen dhe stabilitetin”, shtoi ai.
Veprimet e Koresë së Veriut po çonin në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në vendet rreth rajonit, duke përfshirë Japoninë, dhe më shumë vendosje të aeroplanëve luftarakë dhe anijeve amerikane, vuri në dukje Yoon.
Ndërsa kur u pyet se çfarë do të bënin Koreja e Jugut dhe aleatët e saj, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, nëse Koreja e Veriut kryen një provë të re bërthamore, Yoon tha se përgjigja “do të jetë diçka që nuk është parë më parë”, por nuk pranoi të shtjellojë se çfarë do të ishte një gjë e tillë.
“Do të ishte jashtëzakonisht e pamend që Koreja e Veriut të kryente një test të shtatë bërthamor”, paralajmëroi ai.
Ndryshe, mes një viti rekord për teste raketore, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, tha këtë javë se vendi i tij synon të ketë forcën bërthamore më të fuqishme në botë. /