Në Bruksel dhe Strasburg, janë bërë gati valixhet për 73 eurodeputetët britanikë që do të largohen nga Bashkimi Europian pas mesnatës së 31 janarit.
Mungon vetëm hapi i fundit, votimi plenar i ditës së mërkurë , i cili do të pasohet një ditë më pas me miratimin nga Këshilli, me procedurë me shkrim, të përfundimit të marrëveshjes me BE-në.
“Me largimin e britanikëve, konfigurimi i parlamentit Europian do të ndryshojë, nga 751 vende në 705”, theksoi Jaume Duch, drejtori i përgjithshëm i komunikimit dhe zëdhënësi i Parlamentit Europian.
“Një pjesë e vendeve britanike do të lihet mënjanë për shkak të çdo hyrje të re nga vendet anëtare në BE, ndërsa një pjesë tjetër, do të duhet të rishpërndahet mes 27 vendeve’’, shtoi Duch, duke specifikuar se ‘’do të ketë ndryshime midis grupeve politike, por ato nuk do të jenë shumë të dukshme’’.
Sipas zëdhënësit të Parlamentit të BE-së, ‘’të dy grupet e mëdha, EPP dhe socialistët dhe demokratët, do të mbeten të parët nga numri i vendeve, të gjelbrit do të humbasin një pjesë më thelbësore, siç do të jenë edhe liberalët”, por në fund të fundit shumica pro europiane dhe pakica euroskeptike do të mbeten të njëjta”.
Shumë analistë nuk përjashtojnë që në ekuilibrin midis grupeve të ndryshme mund të ketë një parakalim të grupit sovranist mbi atë të të gjelbërve.
Rivaliteti mes grupeve mund të përuronte kështu një konfigurim të ri të vendeve me riorganizime dhe ndryshime të pashmangshme, duke marrë parasysh që në javën e parë të shkurtit familja më e madhe në Strasburg, PPE, do të duhet të vendosë nëse do ta mbajë apo jo ”Fidesz”, partinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban./