Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ta procedojë në Kuvend peticionin e 16584 qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës.
Bahtiri po ashtu ka thënë se për këtë do të bisedojë edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ndërsa i ka siguruar qytetarët, se qyteti i Mitrovicës do të bashkohet së shpejti.
Postimi i Bahtirit në Facebook:
Është e turpshme loja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe veçanësisht Sekretares së kësaj ministrie me vullnetin e 16 584 qytetarëve të Mitrovicës, të cilët në mënyrë ligjore e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre Kushtetuese duke kërkuar bashkimin e Mitrovicës në një komunë të vetme.
Unë peticionin e kam dërguar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm ky institucion si organi më i lartë legjislativ ka kompetencë për trajtimin e tij në mënyrë Kushtetuese, e assesi nuk duhet të ndërhyj MAPL-ja me rekomandime e opinione të qëllimkëqija, të panevojshme dhe pa kurrfarë efekti ligjor.
Kërkoj nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, si pranues i peticionit, që ta procedoj tutje për t’u votuar nga deputetët në njërën prej seancave të ardhshme pa vonesë.
Pas situatës së krijuar me opinionet dhe rekomandimet e MAPL-së të cilat po i bën Sekretarja, unë nesër në ora 10:00 peticionin me mbi 16 584 nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës në një komunë të vetme, do t’ia dorëzoj zyrtarisht edhe presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, me të cilin kam takim zyrtar. Sidoqoftë, qytetarët e Mitrovicës nuk duhet të brengosen, sepse pavarësisht sfidave dhe pengesave që dikush qëllimisht po i sponzorizon, qyteti i Mitrovicës do të bashkohet së shpejti në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë dhe siç funksionon më së miri.