Mike Tyson ka bërë të ditur se ai nuk do të fitojë asnjë cent nga meçi i tij kundër Roy Jones Jr, ndërsa ka thënë se ndihet i bekuar që e ka mundësinë të ndihmojë për bamirësi përmes meçit të tij.
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Mike Tyson, do të rikthehet në ringun e boksit për t’u përballur në një meç ekzibicioni kundër Roy Jones Jr., ish-kampionit të botës. Meçi mes tyre është caktuar të zhvillohet më 12 shtator në Los Angeles.
Tyson, 54-vjeçar, luftoi në ring për herë të fundit në mënyrë profesionale në vitin 2005, kur u mposht nga irlandezi Kevin McBride. Ajo ishte humbja e tij e gjashtë në 58 meçe në karrierë.
Bashkatdhetari i tij amerikan Jones, 51-vjeçar, nuk është futur në ring që prej se e rrahu Scott Sigmonin në shkurt të vitit 2018.
“Papritmas u vendos që të ndeshem me Roy Jones më 12 shtator. Nuk e di se si ka ndodhur kjo. Unë jam thjesht mirënjohës që s’jam duke e jetuar jetën që po e bëja më herët. Allahu më ka bekuar të jem në gjendje ta bëj këtë”, ka thënë Tyson.
“Meçi do të zhvillohet për disa bamirësi. Askush nuk ka nevojë të shqetësohet se a do të pasurohem unë ose të xhelozojë, ose të thotë se unë po e bëj këtë për para. Nuk do të marr asgjë. Unë thjesht po e bëj sepse mundem”.
“Jam në formë të mrekullueshme. Por, do të përmirësohem edhe më shumë. Unë sapo vrapova katër milje sot dhe do të bëj edhe disa sprinte më vonë. Pastaj, do të shkoj për të ushtruar boks”.
Tyson u bë kampioni më i ri në moshë në botë në peshat e rënda kur ishte 20 vjeç, pasi e nokautoi Trevor Berbickun në vitin 1968.
Tyson ka kohë që është duke u përgatitur për t’u kthyer në ring dhe këtë e ka dëshmuar përmes videove në rrjetet sociale ku ka shfaqur formë mbresëlënëse fizike.